Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit që ka pasur më herët me kandidatin për deputet nga komuniteti serb në Kosovë, Nenad Rashiqin, sot është takuar edhe me kandidatët për deputetë nga radhët e komunitetit boshnjak, egjiptian dhe ashkali: Emilija Redzepin, Duda Baljen, Artan Berishwn, Veton Berishwn dhe Hetem Arifin.
Kryetari Kurti i njoftoi se prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që sjell punësim, luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit institucional përmes gjyqësorit të drejtë, dhe politikat sociale që zbusin pabarazinë në shoqëri.
Në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet: “Me përfaqësuesit e këtyre komuniteteve biseduam për mbarëvajtjen dhe rezultatin e procesit zgjedhor, për planet e qeverisë së re, sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit për shtetndërtim demokratik dhe progres socio-ekonomik.
Kurti i siguroi përfaqësuesit e komuniteteve që qeveria e tij do t’i trajtojë të gjithë qytetarët e Republikës në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë kombëtare dhe theksoi se përparimi i komuniteteve pakicë bëhet përmes zhvillimit ekonomik dhe se kjo do të jetë prioritet me qeverinë e re. Në përfundim të takimit shprehëm gatishmërinë për ta vijuar dhe zgjeruar komunikimin dhe bashkëpunimin mes nesh.”- përfundon njoftimi në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje.