Tre udhëheqës të zyrës ligjore, brenda periudhës dyvjeçare nën qeverisjen e Mytaher Haskukës, për shkak të presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme u detyruan ta braktisin këtë pozitë. Arben Krasniqi është udhëheqës i katërt i zyrës ligjore, i cili qëndroi në këtë pozitë derisa u ndalua dje nga ana e organeve. Nuk është çudi kur nga dita e hënë e javës së ardhme në këtë zyrë nuk do të ketë guxim të punojë askush, e gjithë kjo, shkaku i ndalimit të kolegëve të tyre me një muaj paraburgim.
Nuk kanë qenë të rralla kërcënimet gjatë punës së tyre, rasti më eklatant, në mbarë Republikën e Kosovës, ishte rasti me Abi Çarshinë, pastaj ndalimi i ndërtimeve të larta në rrugën “William Valker, pronë e familjarit të kryetarit të AAK-së, dega në Prizren. Arben Krasniqi gjatë ekzekutimit rrënimit është kërcënuar pikërisht nga vetë kryetari i kësaj partie.
Nga rasti i fundit kanë kaluar gjashtë muaj dhe ishte AAK- dega në Prizren që për këta zyrtarë ngriti kallëzim penal, përveç Arben Kraniqit e Shqipron Krasniqit, Kallëzim Penal është bërë edhe ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, drejtorit të Administratës, Osman Hajdari si dhe drejtorit të Urbanizmit, Fatmir Memaj.
Prokuroria ka mbledhur mjaft fakte (letra) për rastin për të cilën janë ndaluar zyrtarët ligjorë komunal, bile edhe më shumë se sa i është nevojitur. Ata tashmë janë ndaluar, edhe pse nuk përbënin asnjë lloj kërcënimi.
Se kujt i kanë shkelur në kallo këta zyrtarë ligjorë, mbetet të shihet në vazhdim të proceseve.