Ish-presidenti kroat, Mesiç: BE gaboi me Tiranën e Shkupin
Ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç thotë se vendimi i BE-së për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka qenë një vendim i gabuar dhe në dëm të rajonit. Në një intervistë për Kosova Press, ai thotë se Evropa juglindore, duhet të bëhet sa më parë pjesë e BE.
“Unë mendoj se ky është një vendim i keq i BE-së, sepse vetëm Evropa e bashkuar mund të jetë një faktor serioz në botë. Në mënyrë që Evropa të jetë një faktor i tillë, Evropa Juglindore duhet të hyjë sa më parë në BE”, shprehet Mesiç.
Mesic ka kundërshtuar zërat për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë dhe thotë se emergjente është hapja e kufijve për Kosovën. Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi duhet të rifillojë, por ai nuk shpreson që Serbia të marrë një vendim të shpejtë për njohjen e Kosovës.
“Gjithmonë kam qenë kundër ndryshimit të kufijve, duhet të hapim kufijtë e të bashkëpunojmë dhe jo të shkëmbejmë territore. Për shkak të çështjeve të brendshëm, Serbia do të ketë vështirësi të marrë një vendim të shpejtë për njohjen e Kosovës. Ajo që duhet të bëhet shumë shpejt, është hapja e kufijve për qytetarët e Kosovës, që ata të udhëtojnë, t’i shkëmbejnë idetë dhe kapitalin e tyre dhe për ti bërë ato të duken si kufij evropian”, ka thënë Mesic.
Stipe Mesiç ka qenë president i Kroacisë nga viti 2000 deri në vitin 2010, dhe ka shprehur gjithmonë mbështetjen e tij për shtetin e Kosovës.