Politikë

E hëna e ngjeshur me zhvillime politike në vend- LDK-ja edhe më tej me taktizime

Paraditen e sotme e karakterizuan disa ngjarje që kanë të bëjnë me arritjen e marrëveshjes ndërmjet LVV dhe LDK-së. Letra e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe vizitat e ndërkombëtarëve në selinë qendrore të LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje, ia ktheu letrën Presidentit të Republikës, në të cilin i kërkohej nga Albin Kurti që të mos ndikojë e imponojë krijimin e qeverisë, por të durojë dhe të presë. Në fund të përgjigjes, Kurti e ka lajmëruar Thaçin se janë afër arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ndërsa në zyrat e LDK-së, po sot, ka qëndruar ambasadori amerikan, Filip Kosnet, ku është takuar me kreun e partisë, Isa Mustafën si dhe figurat kryesore të kësaj partie, ku po ashtu temë e diskutimit të këtij takimi ka qenë arritja e marrëveshjes së koalicionit në mes të LDK-së dhe VV-së.
Po gjatë orëve të paradites së sotme, në selinë e LDK-së është parë duke hyrë edhe ish-shefi i misionit të OSBE-së, Uilliam Uolker.

E pas këtyre takimeve, nëpërmjet një komunikate, LDK-ja ka bërë të ditur se ambasadori amerikan, Filip Kosnet, ka kërkuar nga udhëheqësit politikë krijimin sa më të shpejtë të Qeverisë dhe përmbushjen e mandatit të votuesve. Pas këtij takimi me ambasadorin amerikan, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se zgjidhjen duhet ta japë Lëvizja Vetëvendosje e jo LDK-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *