Rajoni dhe Bota
Snajperi që vrau banorin në Rrëshen ishte vjedhur në Rahovec
Snajperi i markës italiane “Sabatti”, që u përdor për të ekzekutuar Kastriot Reçin pak ditë më parë në Rrëshen, është vjedhur në shtëpinë e një shtetasi kosovar nga Rahoveci. Ky informacion është konfirmuar për Policinë e Shqipërisë nga homologët e Kosovës, të cilët kanë saktësuar se arma është denoncuar si e vjedhur disa ditë më para se të ndodhte ekzekutimi mafioz i 47-vjeçarit Reçi.
Pronari i armës, nga Rahoveci, ishte i pajisur me lejen përkatëse me pretendimin e përdorimit si armë gjahu. Në fakt edhe vetë kompania italiane që e ka prodhuar këtë armë, e reklamon atë si një armë të sofistikuar gjahu, duke e shitur atë në vende ku lejohet.
Arma e pajisur me dylbi dhe silenciator mund të qëllojë në një distancë deri 200 metra, dhe është e çmontueshme në të paktën 3 pjesë.