Aktualitet

BUSHA E DUKAGJINIT DREJT ZHDUKJES

 Numri i lopëve po bie dita – ditës. Kjo lidhet me një duzinë faktorësh. Por fatin më të keq e ka pasur raca autoktone e lopës “Busha e Dukagjinit”, (Bos brachyceros europeus), apo kafsha tradicionale bri shkurtër, e cila, nga mos kujdesi dhe mungesa e plotë e një vizioni shtetëror për ruajtjen e racës autoktone, po shkon drejt zhdukjes. Kjo po bëhet nga neglizhenca apo nga mosdija, – shkruan Kushtrim Muqaj, magjistër i veterinarisë. 

Ai më tej, në llogarinë e tij në Facebook, ka theksuar se zhdukja e kësaj race ka filluar herët, me ndryshimin e mbarshtimit, nga natyral në atë artificial dhe se kanë mbetur fare pak ekzemplarë të pastër të kësaj race.

Busha e Dukagjinit
Busha e Dukagjinit, apo ndryshe Busha ballkanike (Bos brachyceros europeus) për herë të parë është përmendur nga “Rütimeyer” nga e ka marrë edhe emrin.
Autorë të huaj, sidomos jugosllavë (serbë) janë munduar ta paraqesin origjinën e saj nga Bosnja dhe Hercegovina, por prapëseprapë, në shënimet e tyre nuk kanë mundur pa e përmendur se raca e pastër gjendet në Kosove dhe në disa pjesë të Maqedonisë.

Më tej, autori i këtij shkrimi thekson se, disa “autorë” tanë e paraqesin në dy forma, ku e ndajnë në Bushën e Dukagjinit dhe Bushën e Sharrit. Kjo dihet se është një e pavërtetë, duke ia zbehur vlerat e racës me këto mendime.Kushtrim Muqaj ka dhënë edhe disa veçori themelore të kësaj kafshe, veçoritë fizike, prodhimtarinë dhe jetëgjatësinë e kësaj kafshe, duke e plotësuar edhe me shënime kronologjikë

Tiparet e jashtme (fenotipi)
Është kafshë trupvogël. Ndërtimi trupor është shumë në harmoni me kokë të vogël, qafë të mesme dhe të hollë, gjoks të ngushtë, gjymtyrët e pasme i ka më të gjata se të parat, për çfarë edhe i ndihmon ne terrenet ekstreme. Gjiri mirë i formuar dhe në proporcion me trupin (relativisht e madhe).

Peshën trupore e arrin nga 200 deri në 250 kg, por ka dhe variacione nën dhe mbi këto parametra.
Busha zakonisht është njëngjyrëshe, me disa varietete të ngjyrave: kafe, gri, të bardhë, të zezë, ndërsa ngjyra bazë, e cila e karakterizon atë, është ngjyra e kuqe.

Prodhimtaria është e ulët
Sipas autorëve (jugosllavë), të cilët i kanë bërë matjet,  Busha është kafshë me prodhimtari të ulët. Ajo varion nga 911-1500 L. në një laktacion, prodhimi ditor është 7-12l, yndyra: 3.8-5.6%, rrezja e mishit tek te rriturat: 41%-42% (femrat), tek meshkujt: 45% – 50%. Pesha trupore tek të porsalindurit luhatet nga 15-20 kg. Pjekuria seksuale është e vonë: 22-26 muaj, apo kur të arrin peshë trupore nga 170 deri në 200 kg.

Jetëgjatësia
Busha ka jetëgjatësi të lartë, ajo varion nga 10-12 vjet, por sipas shënimeve dhe të gjeturave në teren, ajo mund të shkojë 20-24 vjet (brenda këtyre viteve jep 10 -12 pjellje), demat e arrijnë pjekurinë seksuale në moshën 1.5 vjeç.
Lartësinë (kreshtën) kafsha e arrin 100 -112cm, por ka dhe nën, apo mbi këto vlera. Thellësia e gjoksit zakonisht është poshtë 52%, kurse gjerësia 27%-33% te lartësisë së kreshtës, gjatësia është 114% – 118% te lartësisë.

Kushtrim Muqaj, bashkë  me kolegët e tij veterinarë, po mundohet të ruajë këtë kafshëve autoktone në të ardhmen, duke shpresuar se autoritet vendore do të bëjnë shpërndarje të subvencioneve në emër të mbrojtjes së resurseve gjenetike shtazore.

(Në foto: Busha ndër vite dhe ndikimi i mbarshtimit artificial të saj me raca të tjera, ku dhe vërehen pasardhësit).

Në fotografinë bardhë e zi, marrë nga albumi familjar i Kushtrimit, tregohet edhe për shfrytëzimin për punë (demat) apo si i quajmë “Kiet”, ndërsa fotografitë me ngjyra, ndër vite, i ka shkrepur,  i ka zhvilluar dhe i ka ruajtur kolegu i tij, Kreshnik Rogova).


 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *