Kjo është bërë e ditur në faqen e Komunës së Prizrenit, në të cilën thuhet se kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, thërret mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, për ditën e hënë, me datë 27 janar.
“Në bazë të dispozitave të nenit 44, paragrafit 1 dhe 2 të Ligjit 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, dispozitave të Udhëzimit Administrativ (MAPL) 02/2015 për mbajtjen e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës dhe dispozitave të nenit 32, paragrafit 3, të Statutit të Komunës së Prizrenit, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, thërret mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, e cila do të mbahet më 27 janar 2020 (e hënë), në sallën për mbledhjet e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, tek Shtëpia e Bardhë, duke filluar nga ora 10:00.”, thuhet në këtë njoftim.
Në këtë mbledhje pritet ta japë betimin Muharrem Elezkurtaj nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi kryesuesi i deritashëm, nga ky subjekt politik, Artan Abrashi, është mandatuar në pozitën e deputetit të Parlamentit të Kosovës dhe më pas të bëhet edhe zgjedhja e kryesuesit të ri të Kuvendit të Komunës së Prizrenit.