Pa marrë parasysh çfarë race, gjinie, moshe, feje, kombi, gjuhe; pa marrë parasysh se çfarë profesioni ushtron, edhe në qoftë se ti je një doktor, arkitekt, frizer, avokat, mësues, projektues, atlet, artist, këngëtar, zanatli, kamerier, shofer, shkrimtar, ekonomist etj. Ti je në shitje miku im. Të gjithë i takojmë kësaj industrie të mrekullueshme e cila i bën njerëzit të bashkëpunojnë dhe ta vënë botën në lëvizje.- shkruan në librin “Suksesi në shitje“ me autor Denis Gafur, i cili tashmë gjendet nëpër libraritë tona. Libri është një përmbledhje praktikash personale, e literaturës së lexuar dhe i seminareve që ka ndjekur gjatë punës së tij 25-vjeçare.
Një fëmijë i vogël, për ta fituar një akullore nga prindi, e shet veten si fëmijë i mirë e i sjellshëm. Të rriturit, për t’u pëlqyer nga shoqëria, e shesin veten si bujarë, të zgjuar e besnikë. Në takim me të dashurën, për t’ia fituar zemrën asaj, e shet veten si xhentëlmen, i këndshëm, i hareshëm, me humor dhe me personalitet. Edhe mjeku, arkitekti, ekonomisti, inxhinieri, politikani, gazetari, artisti, sportisti, zanatliu, studenti e shesin veten tek bashkëpunëtori ose konsumatori dhe në bazë të aftësive të tyre shitëse, duke krijuar raport të bazuar, krijojnë besim dhe duke u përsosur e ndërtojnë edhe personalitetin.
Le ta bëjmë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme, që të përfitojmë të gjithë ne. Kur them të gjithë ne, mendoj në atë që: përfiton Ti, përfiton konsumatori, përfiton kompania për të cilën punon dhe në fund përfiton edhe shteti nga realizimi dhe inkasimi i tatimeve.
Gjatë procesit të shitjes ti duhet të kalosh në tri faza:
1. Për të fituar besimin e konsumatorit,
2. Për të fituar sigurinë e konsumatorit dhe
3. Për të filluar
bashkëpunimin me konsumatorin.
Gjatë ndërtimit të këtij raportit ti duhet ta fitosh besimin e tij. Kur personi të beson, atëherë ai e ndien veten të sigurt edhe për të bashkëpunuar me ty. Më pas është i gatshëm të të japë një pjesë të sigurisë së tij (siguria është paraja). Të gjithë e dimë shumë mirë ndjenjën se sa të sigurt jemi kur kemi para në xhep (kokën lart e plot vetëbesim) dhe sa të pasigurt jemi kur nuk kemi para (e ul kokën e tkurresh). Pas fazës për të fituar besimin, fillon bashkëpunimi. Këtu duhet të kemi shumë kujdes që bashkëpunimin ta kultivojmë në shtigje afatgjata dhe të shumëfishta me të gjithë konsumatorët.
Në këtë libër karakteristik për zhvillimin e afarizmit, autori shkruan se sipas disa parashikimeve është duke u afruar një krizë e re ekonomike globale sikurse ajo e vitit 2008. Ato kompani dhe ata individë të cilët nuk investojnë në përmirësim të vazhdueshëm të afarizmit të tyre, në përmirësim ekonomik inteligjent me tregun, do të kenë probleme serioze. – shkruan mes tjerash Denis Gafuri në librin e tij. i cili tashmë është në duart e lexuesve .
Ky libër është i lehtë për t’u kuptuar e për t’u aplikuar në jetën e përditshme dhe ka vlerë të jashtëzakonshme për ata që dëshirojnë ta përmirësojnë perfomancën e tyre, të themelojnë biznes apo të hyjnë në rolin e agjentëve të shitjes a të komercialistëve në ndonjë kompani.