Politikë

Haskuka: Shpifësit analfabetë me diploma nuk e dinë që Zagrebi është kryeqyteti i Kroacisë

Pas reagimit dhe sqarimit të Drejtorisë së Bujqësisë, në lidhje me origjinën e farës së grurit  që u është ndarë ditë më parë fermerëve të kësaj komune, sot ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ditë më parë Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Komunës së Prizrenit ka bërë shpërndarjen e farës së grurit për fermerët. Në lidhje më këtë patën reaguar opozitarët nga radhët e PDK-së dhe të AAK-së duke e akuzuar Komunën e Prizrenit se për këta fermerë ka shpërndarë farë gruri të importuar nga Serbia.

I menjëhershëm ka qenë drejtori i Drejtorisë i Bujqësisë, Egzon Elshani, i cili ka sqaruar: “Komuna e Prizrenit nuk ka importuar asnjë produkt nga Serbia dhe këtë e dëshmojnë fotografitë e bashkëngjitura. Pra, fara e grurit e cila iu është shpërndarë fermerëve ka origjinë nga Kroacia, është e kualitetit të lartë dhe i plotëson të gjitha kushtet optimale për mbjellje”.
Sot, një reagim të ashpër e ka bërë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në faqen e tij në Facebook: “Komuna e Prizrenit në kuadër të mbështetjes për bujqësinë ka shpërndarë farë gruri të kualitetit të lartë për 1100 fermerë të komunës sonë. Por si duket kjo po ju pengon atyre që e kanë shkatërruar ekonominë dhe bujqësinë e Kosovës, prandaj si opozitarë joparimorë kanë vazhduar me shpifje edhe për këtë projekt të Komunës. 
Por këto shpifje të tyre tregojnë se këta janë analfabetë me diploma, këta nuk e dinë që Zagrebi është kryeqytet i Kroacisë. Këtyre duhet me iu marrë diplomat që i kanë blerë me para të pista dhe me i dërgu në kurse për shkrim-lexim dhe gjeografi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *