Aktualitet

SHOQATA “ESNAF” E PRIZRENIT SHËNOI 25- VJETORIN E THEMELIMIT TË SAJ

Me ekspozitën “Arti, nga duart e arta”, sot në hapësirat e objektit të Gazi Mehmet pashës, shoqata e afaristëve dhe zejtarëve “Esnaf” e Prizrenit shënoi 25 vjetorin e themelimit të saj.  Në përmbylljen e aktiviteteve disa ditore të këtij jubileu, pos të ftuarve të shumtë,  i pranishëm ishte edhe kryeministri në ardhje, Albin Kurti.

Në emër të Shoqatës “Esnaf” dhe në emër grave të kësaj shoqate, të pranishmit i përshëndeti Esen Kajmakçi, kryetare e degës së gruas së kësaj shoqate, e cila theksoi nevojën e përkrahjes së grave dhe se ato duhet që përherë ta kenë mbështetjen dhe beson se këtë do ta bëjë kryeministri i shumëpritur, Albin Kurti, tha mes tjerash Kajmakçi.   

Varis Xhejlani, kryetar i kësaj shoqate,  theksoi se punimet e artistëve që u prezantuan në këtë panair,  gjithnjë do ta kenë mbështetjen e shoqatës “Esnaf” dhe se punën e tyre do ta promovojnë edhe në platforma të ndryshme.

 Ai mes tjerash njoftoi edhe për aktivitet e fundme të kësaj shoqate, siç është nënshkrimi i kodit të biznesit kundër korrupsionit.

 “Javë më parë ishim në një takim në organizim të Institutit Riinvest dhe kemi nënshkruar kodin e biznesit kundër korrupsionit. Më tej Varis Xhejlan tha: “Korrupsioni është një nga pengesat më të mëdha për vendet që janë rritje dhe në zhvillim sikur ne. Para qeverisë se ardhshme shtrohet një detyrë e madhe për sigurimin e kushteve për investime, qoftë nga vendorët, qoftë nga ndërkombëtarët. Duhet krijuar një ambient  me një sistem gjyqësor dhe ekonomik.”

Në shënimin e 25-vjetorit të themelimit të shoqatës “Esnaf”, i pranishëm ishte edhe kryetari i Lëvizjes vetëvendosje dhe Kryeministri në ardhje, Albin Kurti.
Në fjalimin e tij Kurti tha se përfshirja e grave në tregun e punës në Kosovë është më e ulëta në rajon. Mbi 80 % e grave janë jo aktive në tregun e punës. Si pjesë e reformave strukturore për rritjen e ekonomisë, rritja e pjesëmarrjes në tregun  e punës do të jetë prioritet i qeverisjes në ardhje. Kosova nuk e përballon lënien jashtë të afro gjysmës së fuqisë punëtore.

Kurti më tej tha se qeveria e ardhshme ka një numër masash të fuqizimit të grave dhe garantimin e barazisë gjinore në Kosovë. Sipas Kurtit, disa nga masat që do ta bëjnë të mundshme fuqizimin e grave do të jenë janë: bursat për studentet, shtesat për fëmijët, çerdhet e reja, trashëgimia në pronë, banimi i përballueshëm për çiftet e reja, përkrahja e nënave vetushqyese, duke shtuar se panairi i  këtillë është shembull praktik se si mund ta nxisim përfshirjen e grave në tregun e punës. Ai përmendi edhe takimin me kryeministrit e Maqedonisë Veriore, ku tha se i kishte kërkuar kryeministrit Zaev për ta hapur rrugën Tetovë – Prizren për t’i hapur edhe më shumë mundësi ekonomike Prizrenit, gjë për të cilën kryeministri Zaev ishte plotësisht dakord me këtë iniciativë të tijën, tha mes tjerash Albin Kurti.

 Me këtë rast për të pranishmit u dha edhe një program modest artistik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *