Kulturë

TË MËRKURËN NË PRIZREN SHFAQET “MJEKU I MIRË”

Teatri i qytetit  “Bekim Fehmiu”,  të mërkurën, më 13 nëntor, në orën 20:00, shfaq premierën “Mjeku i mirë”.
Komedia ”Mjeku i mirë” është shkruar nga Neil Simon, bazuar në tregimet e shkurtra dhe vepra të tjera të shkrimtarit rus Anton Çehovit, të përmbledhura në një personazh të vetëm – shkrimtarin, i cili komenton mbi to, duke e bërë kështu lidhjen dramaturgjike.



Personazhi kryesor, një shkrimtar pa emër (sipas të gjitha gjasave, vetë Çehovi) vuan nga ajo që quhet bllokadë e shkrimtarit dhe nga temperamenti i tij artistik ia rrëfen publikut disa nga tregimet e tij. Papritmas në skenë ngjallen personazhet e këtyre tregimeve, pjesë e të cilave nganjëherë bëhet edhe vetë shkrimtari.

Të gjitha ngjarjet ndodhin në Rusinë e kohës së Çehovit, duke i dhënë kështu shfaqjes një atmosferë, aromë dhe stil çehovian. Po ashtu, temat dhe idetë e tregimeve janë gjithë njerëzore e universale. Ato flasin për vogëlsitë, të metat, veset, huqet e teket e qenies njerëzore. Këto tema gjithashtu të bëjnë të mendosh rreth faktit se sado që krijohet përshtypja se njeriu po avancon drejt zhvillimit të teknologjisë, bota po ndryshon fare pak ndër shekuj. Përulja dhe servilizimi ndaj pushtetit është njëra nga temat e dhjetë tregimeve, por që në mënyrë komike dhe tepër kreative duket që na ndjekë nga e kaluara e Çehovit për ta përqeshur vogëlsinë e njeriut servil të kohës sonë, të cilin mund ta takosh ngado nëpër korridoret e ministrive.

Luajnë: Tristan Halilaj, Rifat Smani, Liridona Shehu, Xhevdet Doda, Edona Sopaj, Hajat Toçilla, Zana Duraku, Alban Morina, Alban Krasniqi e Alban Çela, me regji të Agon Myftarit.

Premiera jepet të mërkurën (13.11.2019) me fillim në orën 20:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *