Kulturë

INTERVISTË ME ABIDIN KRASNIQIN, PËRKTHYESIN E LAHUTËS SË MALCIS NË FRËNGJISHT

Abidin Krasniqi kohë më parë ka përkthyer në gjuhën frënge kryeveprën e Gjergj Fishtës “Lahuta e Malësisë”. Ai enkas në intervistën për Kapixhikun thotë se përkthimi kishte pasur më pak vështirësi nga sa e kishte menduar në fillim, por jo e pakuptueshme për të, edhe pse ai ka lindur në Paris, por origjina e babai të tij është nga Prizreni. Pas këtij suksesi ai tashmë ka vendosur të përkthejë nga letërsia shqipe edhe një antologji të epikës legjendare shqiptare. Për t’u njohur më mirë me këtë të ri pasionant, relizuam një intervistë të shkurtër.

Kapixhiku: Ju me profesion jeni sociolog, çka ju ka shtyrë që ta përktheni Lahutën ?

Abidin Krasniqi: Në Francë ka shumë sociologë. Me gjithë interesimin tim për këtë disiplinë, pavarësisht një diplome master, unë nuk mund të gjej punë në këtë fushë. Në vitin 2016, i bëra vetes shumë pyetje. Puna e zyrës që po bëja nuk më kënaqi. Unë atëherë mendova se njohja ime për gjuhën shqipe mund të ishte një aftësi, edhe në Francë. E kisha lexuar Lahutën në fëmijëri. Nuk e harrova kurrë. Duke lexuar letërsi shqipe në bibliotekën e INALCO-s (Instituti Kombëtar për Gjuhët dhe Qytetërimet Orientale) në Paris, u ndesha pothuajse rastësisht në Lahutën e Malcís. E lexova përsëri dhe u binda se ishte absolutisht e nevojshme të përkthehet në frëngjisht!

Kapixhiku: Si po e pret lexuesi francez përkthimin e librit tuaj?

Abidin Krasniqi: Në të vërtetë, libri u botua në fund të shtatorit, kështu që nuk di akoma sesi shitet. Njerëz, shoqata dhe institucione të ndryshme më kanë premtuar të organizojnë mbrëmje letrare për promovimin e librit. E para prej tyre u organizua me 7 nëntor në Shkodër, vendi ku Fishta ka kaluar pothuajse gjithë jetën e tij. Shumë miq, disa prej tyre edhe studiues të letërsisë, e lexuan përkthimin tim dhe më përgëzuan. Akademikë, specialistë të historisë dhe të antropologjisë të popujve të Ballkanit si Nathalie Clayer ose Bernard Lory e vlerësuan përkthimin tim.

Kapixhiku: Cilat kanë qenë vështirësitë  që ju keni pasur gjatë përkthimit të Lahutës?

Abidin Krasniqi: Kishte më pak vështirësi nga sa mendoja në fillim. Babai më mësoi shqipen e Kosovës, pra gegënishten. Kjo do të thotë që nga fillimi e kuptova Fishtën. Edhe pse gjuha fishtiane është e veçantë, është një gjuhë shumë e pastër dhe pasur, ndonjëherë dialektore, kam arritur ta kuptoj dhe ta shijoj poezinë e tij mjaft shpejt. Natyrisht, shumë fjalorë më kanë ndihmuar në këtë detyrë. Përkthimi i Lahutës në anglisht nga Robert Elsie gjithashtu më ndihmoi shumë, kur dyshoja, mundja ta krahasoja kuptimin e një fjale ose të një vargu.

Kapixhiku: A keni njohuri në sa gjuhë të botës është përkthyer Lahuta e Malcis ?

Abidin Krasniqi: Me sa di unë, Lahuta është përkthyer në gjermanisht nga Maximilian Lambertz-i (1958), në italisht nga Ignazio Parrino (1968-1973), në anglisht nga albanologu i njohur Robert Elsie dhe nga shkrimtarja Janice Mathie-Heck (2005).

Kapixhiku: A mund të presim edhe përkthime të tjera në të ardhmen?

Abidin Krasniqi: Po, pa dyshim. Tashmë jam duke punuar në një antologji të epikës legjendare shqiptare. Ky është një projekt kolosal që nuk jam i sigurt edhe për ta përfunduar një ditë! Duhet të jetë një punë e nivelit shkencor, me shënime shpjeguese, me një analizë të teksteve të paraqitura.

Kapixhiku: Një porosi për lexuesit e Kapixhikut për fund?

Abidin Krasniqi: Një lexim i thelluar i Lahutës së Malcis na lejon të shohim se sa është universal mesazhi i Fishtës. Nuk është lufta e një feje kundër një feje tjetër. Nuk bëhet fjalë për luftën e një populli kundër një populli tjetër. Është një luftë për liri në emër të një kulture, tradite dhe vlerash shumë të vjetra. Lahuta në tërësi është një klithmë për liri, vetëvendosje e një populli. Si i tillë, mesazhi i Lahutës së Malcis është universal dhe kjo kryevepër e kulturës sonë meriton sot të përkthehet në frëngjisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *