Kulturë

“DËMTUAR GJATË RRUGËS”- RRËFIM TRANSPARENT I ZVETËNIMIT TË INDIVIDIT NË NJË SHOQËRI TOTALITARE

Shkrimtari Besnik Mustafaj është zgjedhur autori më i mirë i panairit të librit “Tirana 2019”, që u mbajt në Tiranë nga 14 deri më 17 nëntor 2019.

Ky është motivacioni  i jurisë për romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, e cila përbëhej nga Lili Sula, Agim Doksani, Agim Baci, Adriatike Lami, e Parid Teferiçi:
Për përshkrimin plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve; ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare.

Ndërsa, vetë autori i romanit ”Dëmtuar gjatë rrugës”, Besnik Mustafaj, për librin e tij thotë:
“Nëna, domethënë amësia, mbart gjithsesi një kuptim të shumëfishtë konkret dhe simbolik. Në romanin tim ajo i mbart të gjitha këto kuptime. Por lexuesi duhet të mbajë mirë parasysh se nuk është një roman autobiografik e as biografik për nënën time.
Për kureshtjen e lexuesve po tregoj se vetëm fakti zanafillor i romanit është i vërtetë. Nëna ime kishte një dhunti të madhe për punët e dorës, me grep, me vegjë apo edhe me gjilpërë. E kishte edhe shumë të zhvilluar ndjenjën e të bukurës. Në vitin 1959, kur do të vinte Hrushovi në Shqipëri, asaj iu ngarkua nga Komiteti i Partisë i Tropojës detyra të bënte një palë opinga tradicionale, që delegacioni i tropojanëve pjesëmarrës në pritjen e tij në Tiranë, do t’ia dhuronte mysafirit të jashtëzakonshëm. Nëna ime nuk do të ishte pjesë e këtij delegacioni.
Ky fakt është sigurisht strumbullar në ndërtimin e historisë romaneske, por është i pamjaftueshëm për t’i dhënë romanit natyrë biografike apo autobiografike. Gjithçka ndodh me personazhin tim “Nëna” është rezultat i punës time si shkrimtar. Ndryshe ajo nuk do t’i merrte të gjitha kuptimet që priten nga një personazh letrar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *