Kulturë

NË PRIZREN U SHFAQ “AMARE GILA”, PREMIERA E FILMIT DOKUMENTAR PËR MUZIKËN ROME

Në Doku Kino në Prizren sonte u shfaq premiera e filmit dokumentar “Amare gila (Këngët tona) që për tematikë ka këngët e vjetra qytetare rome, ndërsa grupi i mirënjohur prizrenas “Kuarteti Pentagram” në një mënyrë të veçantë interpretoi disa nga këngët e vjetra rome e të cilat u mirëpritën nga publiku.

Secili që ishte sonte i pranishëm në Doku Kino për ta parë premierën e dokumentarit për muzikën rome, ka dalë i fituar, të paktën, për një fjalë, se gili në gjuhën rome do të thotë këngë. Kjo kryefjalë në këtë film nga vetë të intervistuarit u përdorë pafundësisht, vetëm e vetëm për të treguar se “muzika është krijuar nga vetë romët”.

Vetë autori i këtij filmi, Edis Galushi, pas shfaqjes së dokumentarit, para të pranishmëve tha: Dokumentari “Amare gila ( Këngët tona) u krijua si rrjedhojë e mungesës së informacionit tek te rinjtë (sidomos rome) për këngët e vjetra qytetare rome. Marrë parasysh se vetë historia e romëve është kryesisht gojore, unë si hulumtues në këtë projekt e kisha shumë vështirë në gjetjen dhe kompletimin e teksteve të këngëve, ngase me kalimin e kohës tekstet dhe mënyra e ekzekutimit kanë pësuar ndryshime. “

Galushi po ashtu tha se ka dashur ta dokumentojë jetën e përparshme dhe rolin e muzikës së vjetër qytetare rome në bashkëveprimin dhe jetesën e romëve në Prizren dhe më gjerë.

“Jam munduar t’i gërshetoj tregimet dhe folësit me këndvështrime të ndryshme, të gjithat me te vetmen arsye për të ndikuar në ngritjen e vetëdijes së të rinjve për trashëgiminë e këtyre këngëve autoktone rome. Aq më tepër, projekti në përgjithësi ka pasur për qëllim ta ofroj një qasje bashkëkohore, si ndaj muzikës, ashtu edhe ndaj perceptimit te tyre, që të njëjtat t’i bëjë më të kapshme dhe më të pranueshme tek gjeneratat e reja.

Pjesa e dytë e kësaj mbrëmjeje u përmbyll me interpretimin e grupit prizrenas “Kuarteti Pentagram ” të disa këngëve rome e të cilat u mirëpritën nga publiku. Ky projekt është përkrahur nga MKRS-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *