Aktualitet

A E KA SHKELUR KODIN E ETIKËS KRYEPROKURORI NË RASTIN “ABI ÇARSHIA”

Bazuar në konferencën e shumëpërfolur për media në rastin “ABI Çarshia”, të mbajtur me 22. 7. 2019 nga ana e kryeprokurorit, Admir Shala, sipas udhëheqësit të sektorit ligjor pranë KK në Prizren, Arben Krasniqi, Kryeprokurori, jo vetëm që kishte shkelur etikën, por kishte rënë ndesh me ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe me Kodin e Etikës e të Sjelljes Profesionale për Prokurorë. Për më tepër, në lidhje me ecurinë e asaj konference me gazetarë dhe punën e Prokurorit, udhëheqësi i këtij sektori për Kapixhiku.com tha:

 “Bazuar në konferencën për media të mbajtur me 22.07.2019 nga ana e Kryeprokurorit, z. Admir Shala, me deklarimet e dhëna në këtë konferencë, ai bije ndesh  me  ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe të Kodit e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për prokurorë.

Në parimet e Kodit të Etikës thuhet: “Pavarësia personale e prokurorit si individ nënkupton lirinë e tij për të vendosur pa u ndikuar askush, përfshirë kolegët, shoqërinë, familjarët, rrethet politike dhe vetë eprorin e tij “

Prokurori duhet të jetë i pavarur nga të gjitha ndikimet e brendshme dhe të jashtme dhe t’i trajtojë palët pa asnjë diskriminim dhe këtë duhet ta tregojë me çdo veprim të tij. Në rastin konkret, prokurori nuk duhet të pranojë sugjerimin e Kryeprokurorit. Në këtë rast ai duhet të vazhdojë procedurën e filluar dhe të veprojë sipas ligjit dhe provave të rastit. Veprimet e Kryeprokurorit në rastin konkret e dëmtojnë rëndë reputacionin e vetë Kryeprokurorit, Prokurorit dhe sistemit prokurorial në tërësi.

Çdo sjellje e Kryeprokurorit në publik dhe media duhet të jetë e cilësuar dhe e përcjellë me standarde të larta të integritetit. Prokurori nuk guxon të shprehë paragjykime për persona me prejardhje të ndryshme afariste apo çfarëdo cilësie tjetër, sepse kjo paraqet rrezik për anim, apo së paku, për perceptimin e paanësisë së tij. Të gjitha palët duhet t’i trajtojë me respekt, ndershmëri dhe pa asnjë lloj diskriminimi dhe paragjykimi.

Në një situatë të tillë, prokurori duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e vë në pikëpyetje pavarësinë e tij/saj në vendosjen e rastit. Në secilin rast, prokurori duhet ta ruajë pavarësinë e tij në vendimmarrje nga çdo ndikim i jashtëm apo i brendshëm dhe vendimet i merr vetëm në bazë të ligjit, vlerësimit të drejtë të fakteve dhe provave dhe që përpjekjet për ndikime t’i drejtojë te eprorët e tij, në atë mënyrë që të eliminohet perceptimi i ndikimit në pavarësinë e prokurorëve.

Secili prokuror duhet të kujdeset që në rastet e tilla, kur ai nuk e ndjen veten se mund të jetë objektiv ose për t’i ikur perceptimit dhe dyshimit të mundshëm për njëanshmëri nga palët në procedurë, të kërkojë përjashtimin e tij nga rasti.

Këtyre situatave prokurori duhet t’u shmanget. Ai përveç që duhet të jetë i paanshëm, duhet edhe të duket si i paanshëm. Kështu ai mund të krijojë perceptim negativ për paanshmëri.

Prokurori duhet t’u shmanget këtyre situatave të krijuara, së paku, që cilësohen në dukje si mungesë integriteti dhe paanësie për të. Kjo dëmton në masë të madhe edhe besimin e njerëzve aty dhe publikut më të gjerë, për tërë sistemin e prokurorisë. Prokurori duhet që, gjithnjë, si gjatë punës së tij zyrtare, por edhe në jetën private, t’i ketë sjelljet e tij në harmoni me standardet e larta të etikës dhe sjelljes profesionale dhe të mos lejojë asnjë mëdyshje në ndershmërinë, sinqeritetin dhe paanshmërinë e tij.

Prokurori në këtë rast duhet të vejë në rend të parë integritetin e tij dhe dukjen se e posedon këtë cilësi, në sytë e tjerëve. Integriteti është qenësor për besimin e publikut në punën e tij dhe tërë sistemit. Vlen të theksohet fakti se edhe në vitin e kaluar, konkretisht me 29. 9. 2018 Kryeprokurori kishte urdhëruar prokuroren kujdestare që të urdhërojë zyrtarët komunalë që t’i  largojë menjëherë shiritat që i kishin vendosur zyrtarët komunalë, pasi që investitori nuk kishte certifikatë të përdorimit për këtë objekt.

Ndërhyrja e vazhdueshme e Kryeprokurorit në lidhje me këtë investitor të njëjtë, pas përvojës së parë nuk i bën nder një Institucioni Prokurorie. Kjo tregon se e ka pranuar si të mirëqenë sjelljen e investitorit dhe se është i gatshëm të hyjë sërish në këso raportesh duke dalë në konferencë për media edhe pas gati  një viti për të njëjtin investitor.  Gjithashtu, kjo sjellje përçon mesazhin e keq se në të ardhmen, po që se paraqitet nevoja, mund t’ia kthejë këtë favor gjatë punës së tij, prandaj, medoemos, duhet evituar situata të tilla.

Prokurorët gjatë gjithë kohës duhet ta ruajnë nderin dhe dinjitetin e pozitës dhe profesionit të tyre, si dhe të gjithë sistemit të prokurorisë. Çdo prokuror duhet të marrë përgjegjësinë e secilit rast me të cilin merret dhe e përfaqëson. Ai duhet të jetë personalisht përgjegjës për secilin rast që e përfaqëson në gjykim. Ai duhet ta pranojë përgjegjësinë për çdo lëshim apo mangësi të rastit.

Prokurorët duhet të ruajnë fshehtësinë e informatave në lidhje me hetimet në zhvillim e sipër, Prokurorët nuk guxojnë që informatat që i posedojnë t’i përdorin për sigurimin e favoreve për vete apo tjetrin.

Në këso lloj situatash, prokurori duhet të përmbahet dhe të mos fillojë debatin apo polemikat me zyrtaret komunal. Komunikimet e tilla mund të mos përfundojnë asnjëherë dhe kështu mund të krijohet përshtypja në publik për “luftëtarë arenash”, që në vend që të kryejnë detyrat e tyre të përcaktuara me ligj e kushtetutë, merren më tepër me çështje të ngushta personale. Prokurori duhet të flasë gjithmonë me punën e tij, me aktet procedurale të shkruara, me mjetet ligjore juridike, me paraqitje dinjitoze në shqyrtim në emër të shtetit, në shërbim të të cilit është dhe me sjellje që nuk lënë asnjë vend për qortim nga çdo vëzhgues i paanshëm.

Sjellja e prokurorit në këtë rast është e papranueshme dhe mund të paraqesë shkelje të Kodit të etikës. Prokurori nuk guxon të bëjë kritika të papërshtatshme për Komunën, zyrtaret komunal dhe punën e tyre. Në vend të saj, prokurori duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet e rregullta juridike dhe të jashtëzakonshme, të cilat i ka në dispozicion. Kryeprokurori mund të paraqitet në media për të prezantuar rezultatet e sistemit prokurorial, por nuk është etike të bëjë deklarime të papërshtatshme dhe shpifëse para mediave për Komunën e Prizrenit .

Në raste të tilla, Kryeprokurori duhet ta njoftojë opinionin lidhur me rastin, por gjithmonë informatat nuk duhet të dëmtojnë procesin e hetimeve apo të paragjykojnë rastin. Hezitimi i prokurorit të rastit për të dalë para opinionit mund të shkaktojë shqetësim te qytetarët, keqkuptime, frikë dhe panik, në mënyrë që të parandalohen dezinformatat lidhur me rastin.

Kur Kryeprokurori prezanton një rast në emër të shtetit, ai këtë duhet ta bëjë me ndershmëri dhe profesionalizëm të lartë. Prokurori nuk duhet të kërkojë që me çdo kusht të nxjerrë një aktvendim mbi fillimin e hetimeve ndaj zyrtareve komunale . Në vend të kësaj, prokurori duhet që të sigurohet se të gjitha provat e rëndësishme të jenë të prezantuara para gjykatës, si ato që shkojnë në dëm, po ashtu edhe ato që janë në favor të të pandehurve.”

Rasti i Abi Çarshisë, që nga korriku i këtij viti, ka mbetur për t’u zgjidhur nga organet gjyqësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *