TIRANË
Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, kreu i VV, Albin Kurti, i cili ndodhet në Tiranë, pas takimit të mbrëmshëm me kryeministrin Edi Rama, duke folur për mediat në Samitin e Paqes për Evropën Juglindore, dha detaje nga ky takim.
Ai ka deklaruar se kishin shumë kohë pa u parë dhe se në takim ka shprehur dëshirën për një bashkëpunim dhe më të ngushtë me qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin. Kurti theksoi se ka nevojë për bashkërendim mes dy vendeve si për politikën e jashtme ashtu dhe në aspektin e ekonomisë dhe për sa më shumë ura që dy vendet t’i ndihmojnë qytetarët e tyre të mos jenë të fundit në rajon.
“Kishte shumë kohë pa u parë diku rreth 14 muaj. Kishte shumë tema e çështje që duhet t’i bisedonim, aq më tepër që Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve, si udhëheqëse e qeverisë së ardhshme dhe unë si kryeministri i ri dua dhe duhet të bashkëpunojmë ngushtë me qeverinë e Shqipërisë dhe me kryeministrin e Shqipërisë. Biseduam për çështje të cilat i kemi të përbashkëta por gjithashtu edhe për çështjet në dy shtetet tona. Duam që edhe në aspektin e politikës së jashtme dhe në aspektin e ekonomisë të bashkërendohen sa më shumë Kosova me Shqipërinë, sepse efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet. Besoj që mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se sa realiteti që e gëzojnë prandaj duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria dhe Shqipëria dhe Kosova t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, e më të papunët e më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”, deklaroi Kurti.
I
pyetur nëse do i bashkohet të ashtuquajturit “Shengeni Ballkanik”, Kurti tha se
duhet të shohë projektin në letër pasi për momentin është në nivel idesh.
“Unë pres që të shoh një tekst se çfarë saktësisht nënkupton ai. Sepse ai më
ngjan më shumë me ide se sa projekte. Pra, dua ta shoh projektin në letër. Tani
për tani është në nivel idesh.
Ne kemi diskutuar për çështje dhe tema që do të bashkëpunojmë. Organigramat e
qeverive vijnë më pas. Pra, njëherë është substanca dhe më pastaj edhe forma që
duhet të marrë”, tha ai.
Por a ka folur me Ramën për padinë e paralajmëruar nga kryeministri
shqiptar për kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj?
“Jo nuk jemi marrë me këtë gjë”, tha Kurti.
Ndërkohë ngacmimit se pas takimit të mbrëmshëm marrëdhëniet me Ramën janë të
rregulluara, Kurti iu përgjigj: “Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregulluara.
Ne jemi njerëz të ndryshëm, jemi politikanë të ndryshëm dhe duam që të
bashkëpunojmë në mënyrë që mospajtimet që kemi kurrsesi nuk bën që ta
rrezikojnë bashkëpunimin tonë, meqenëse fundja ne nuk jemi dy persona të
veçantë por jemi dy funksione për të cilën qytetarët tanë presin që do të
bashkëpunojmë”.
Sa i përket të
dërguarit të presidentit amerikan për Kosovën dhe Serbinë dhe premtimeve të
tij, Kurti tha se ai ka vizituar dy vendet për të marrë mendimin e liderëve për
marrëveshje mes dy vendeve. Kreu i Vetëvendosjes foli dhe për çështjen e
bisedimeve, për të cilën tha se do të ketë një takim me pasardhësen e
Mogherinit paraprakisht.
“Jo, ai ka ardhur që të marrë mendimin tonë se si mund të ketë marrëveshje të
paqes dhe bashkëpunim në rajon. Nuk ka gjëra të tilla si këto.
Periudha konkrete për fillimin e bisedimeve natyrisht që nuk mund të caktohet
tani për sa kohë ne kemi nevojë për dialog me Brukselin dhe dialog me
Beogradin. Duhet ta përgatisim mirë dialogun dhe unë pres që të takohem me
pasardhësen e zonjës Mogherini në mënyrë që të përcaktojmë parimet se si të
ecim përpara dhe dialogu i ardhshëm të mos dështojë. Për marrëveshje me Serbinë
duhet të ndryshojë shumë më tepër Serbia se Kosova”, tha Kurti.
Pas takimit të mbrëmshëm, ai ka mohuar se Rama është pro
shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk është kryeministri i Shqipërisë për shkëmbim territorial dhe gjithashtu ne
angazhohemi për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe dialogun e
ardhshëm me Serbinë do ta udhëheq unë si kryeministri i ardhshëm”, u shpreh
Kurti.