Aktualitet

MYTAHER HASKUKA FALËNDERON QYTETARËT PËR SHPEJTËSINË E REAGIMIT DHE NIVELIN E LARTË TË SOLIDARITETIT

Para pak minutash kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë një postim në Facebook, duke shkruar me dhimbje për tërmetin dhe me krenari për mobilizimin e jashtëzakonshëm të qytetarëve për solidaritetin e treguar me këtë rast. Në mënyrë kronologjike përshkruan aktivitetet dhe masat e ndërmarra gjatë ditës së sotme nga ana e tij, për ta përfunduar  me fjalinë: “Ditët e vështira si kjo, sot na konfirmojnë se bashkë e kemi më lehtë, bashkë e bëjmë më mirë.”

Postimi i plotë i kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka:

“Tronditje, dhimbje por edhe krenari e madhe. Mobilizim i jashtëzakonshëm për një kohë të shkurtë.

Sot pas lajmit për tërmetin, viktimat dhe të lënduarit në Shqipëri, fillova të marr telefonata nga qytetarët të cilët donin të ofronin ndihma.

Në të njëjtën kohë pasi që termeti ishte ndier fuqishëm edhe në Prizren, në mënyrë urgjente organizuam një takimit me të gjitha institucionet relevante të sigurisë në Komunën e Prizrenit për ngritjen e gatishmërisë për situata emergjente.

Pas takimit një ekip i stafit mjekësor i urgjencës me autoambulancë u nis për në Durrës bashkë me materiale për intervenim të shpejtë nga Drejtoria e Shëndetësisë. Tanimë ekipi është në Stadiumin e Durrësit duke ofruar shërbimet mjekësore emergjente qytetarëve në nevojë.

Si Komunë e Prizrenit po ashtu kemi vënë në dispozicion një brigadë zjarrfikësish dhe pas konsultimeve me ambasadorin Minxhozi kemi marr vendim që të përgatisim pako ushqimore dhe batanije për zonat e prekura nga tërmeti që do të nisen në ditët në vijim.

Në ndërkohë Lëvizja VETËVENDOSJE!, grupi i tifozëve Arpaxhik’t dhe shoqëria civile kishin filluar grumbullimin e ndihmave me ushqim dhe veshmbathje, si dhe në këto momente dy kamionë dhe një autobus nga Prizreni tanimë janë nisur drejt rrugës së kombit për në Durrës.

Po ashtu njoftojmë që Drejtoria e Mirëqenies Sociale do të vazhdojë grumbullimin e ndihmave në Qendrën për Punë Sociale edhe nesër.

Në ndërkohë shumë qytetarë që janë lajmëruar për të ofruar shtëpitë e tyre në rast nevoje për t’i strehuar vëllezërit tanë nga Shqipëria.

Falënderoj të gjithë qytetarët për shpejtësinë e reagimin dhe nivelin e lartë të solidaritetit!

Ditët e vështira si kjo, sot na konfirmojnë se bashkë e kemi më lehtë, bashkë e bëjmë më mirë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *