Pas përfundimit të të gjitha procedurave, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, sot shpalli edhe zyrtarisht rezultatet përfundimtare.
Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të ketë 32 deputetë, LDK 29, PDK 25, AAK-PSD 14, Lista serbe 10 dhe Vakat ka arritur t’i sigurojë 2 deputetë.
Pas shpalljes së rezultateve, kryesuesi i Kuvendi Komunal të Prizrenit, Artan Abrashi, i cili garoi në zgjedhjet e parakohshme për t’u bërë pjesë e parlamentit të Kosovës, nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë garë.
Postimi i tij i plotë
“Të dashur qytetarë,
Në publikimin e rezultateve përfundimtare nga KQZ, duket se i kam arritur votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ju falemnderoj përzemërsisht për mbështetjen e madhe dhe besimin e dhënë. Përgjegjësinë e re do të mundohem ta kryej me nder dhe përkushtim, duke qenë çdoherë zë i vullnetit tuaj në Kuvendin e Kosovës tonë.
Ju falemnderit! Me respekt dhe përulje,
Artani”