Në vitin 2016 Komuna e Prizrenit kishte ndarë 20 motokultivatorë, 33 sosh në vitin 2017, 60 në vitin 2018, për ta rritur numrin në 92 motokultivatorë për vitin 2019.
Rritja e subvencioneve në bujqësi dhe blegtori ka qenë një nga 43 zotimet e Mytaher Haskukës, kur po garonte për të parin e Prizrenit në Zgjedhjet Komunale në vitin 2017.
Një vit më herët, kur me Prizrenin qeveriste PDK-ja (2016), për 20 moto-kultivatorë kishin aplikuar 20 fermerë dhe po të njëjtit kishin përfituar nga ai projekt. Nëse e përkthejmë në gjuhën e rëndomtë, për këtë projekt nuk ka pasur fare thirrje publike, të 20-të motokultivatorët janë shpërndarë në baza partiake.
Në vitin 2017 “kishin aplikuar” 30 fermerë dhe po të njëjtit fermerë edhe kishin përfituar moto-kultivator.
Në vitin 2018, pas thirrjes publike për aplikim të fermerëve të Komunës së Prizrenit, numri i aplikuesve për herë të parë mbërrin numrin tre shifror, 180 aplikues për të qenë përfitues i një motokultivatori, nga 60 sosh sa ishin paraparë të jepeshin për vitin e kaluar.
Sot, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka shpallur listën preliminare të përfituesve nga projekti i furnizimit të fermerëve me motokultivatorë për vitin 2019, ku pritet të përfitojnë 92 fermerë nga komuna e Prizrenit. Sipas njoftimeve të marra nga Kapixhiku.com bëhet e ditur se sivjet kanë aplikuar numër rekord i fermerëve, mbi300 sish, për të qenë përfitues të një nga 92 moto-kultivatorët.
Siç bën të ditur Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përzgjedhja e përfituesve është bërë në bazë të vlerësimit të komisionit dhe me anë të poentimit të aplikuesve sipas kritereve të përcaktuara paraprakisht nga thirrja publike.në njoftimin në faqen e Komunës thuhet se aplikuesit e pakënaqur mund të paraqesin ankesat e tyre duke i plotësuar dokumentet e nevojshme në sportelin nr.3, te hapësira e improvizuar e administratës në sallën e edukatës fizike në gjimnazin “Remzi Ademaj”, deri më datën 8.11.2019.
Komuna e Prizrenit me realizimin e këtyre projekteve synon t’i përmbushë nevojat e fermerëve me mjete përkatëse bujqësore.