Aktualitet

NESËR HAHEN “KINGJAT” E BASTEVE PËR ZGJEDHJET E 6 TETORIT

Certifikimi i rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me gjasë do  të bëhet gjatë ditës së nesërme.  Me këtë akt përfundojnë të gjitha kalkulimet e mundshme për secilin subjekt politik.

Në fakt, shumë kohë para zgjedhjeve janë vënë edhe baste të ndryshme mes miqsh, familjarëve, kolegëve, por edhe në mes bashkë partiakëve, se kush mund të jetë kryeministër e kush jo, cili subjekt politik do të jetë pjesë e pozitës e kush  pjesë e opozitës, apo edhe jashtë parlamentit.

Për më tepër, këto baste më shumë u kanë përngjarë falleve se parashikimeve, edhe pse gjatë fushatës, para zgjedhjeve dhe në ditën kur votohet dalin disa rezultate preliminare që rrallëherë përputhen me rezultatet përfundimtare. Të gjitha subjektet politike i bëjnë sondazhet në bazë të të cilave edhe i marrin veprimet. Nëse këto rezultate janë të favorshme për një subjekt politik, atëherë i bëjnë publike, nëse dalin keq, i heshtin dhe bëjnë sondazhe me porosi që të dalin mirë. Shpeshherë matrapazë të caktuar, të njohur edhe si falltorë popullorë, janë shfrytëzuar nga medie të ndryshme për të bërë tifo për subjekte të caktuara politike.

Të nxitura nga mediat e ndryshme, nuk kanë munguar as bastet e vëna në publik nga vetë politikanët. Rasti më epik i bastvënies po del të jetë ai i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili publikisht kishte vënë bast me ish-ministrin, Dardan Gashi, se Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 32 deputetë. Agim Bahtiri e ka fituar bastin, por çfarë do të fitojë nga ky bast mbetet të shihet. Gjithsesi, nesër në emër të basteve, bastvënësit do të hanë një numër të konsiderueshëm të “kingjave”.
Iu bëftë mirë fituesve të këtyre basteve!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *