Politikë

“Nuk jemi të shokuar, sepse e kemi ditur se Astritin e kanë vrarë…”

Pas marrjes së ekspertizës zvicerane për rastin e vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, kanë folur familjarët e Astrit Deharit dhe përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari, Tomë Gashi.

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari ka thënë se sipas konkluzioneve ka dalë se Astrit Dehari është vrarë. Me këtë rast ka kërkuar që të hapen hetimet për rastin e ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

 “Tash sa dolëm nga prokuroria ku ishin të pranishëm kryeprokurori dhe Metush Biraj. Raportin na e kanë dhënë në dy kopje, në dy gjuhë dhe të përkthyer. Sipas konkluzioneve, bëhet fjalë për vrasje e jo për vetëvrasje, sipas ekspertizës. Bëhet fjalë për vrasje dhe duhet të hapen hetimet për vrasjen. Unë shfrytëzojë rastin si prind që ta falënderojë avokatin që ta zbardhë të vërtetën si rast. I falënderoj ekspertët që nuk i janë nënshtruar trysnive politike për ta dhënë një raport. Dua ta përmend se në rastin e Astrit Deharit, që e kanë vrarë në burgun e Prizrenit, përgjegjës, përveç Sylë Hoxhës, së bashku me kompaninë e tij, e ministren Dhurata Hoxha, janë edhe argatë në rastin konkret.”

Nëna e Astrit, Xhemile Dehari: “Nuk jemi të shokuar, sepse ne e kemi ditur. E kemi ditur se Astritin e kanë vrarë në burg, por juridikisht nuk është mbyllur. Për tre vjet neve na kanë zier në kazan. Sylë Hoxha ka thënë se do të përmbyllë pas 15 ditësh, por rasti nuk iu doli vetëvrasje”

Gruaja e Astritit, Arta, tha: “Unë besoj që drejtësia duhet të merret me këtë punë. Dhe besoj që drejtësia ka me ra në vend.”

Përfaqësuesi ligjor i familjes Dehari, Tomë Gashi, në faqen e tij në Facebook, ka sqaruar: “ASTRIT DEHARI ËSHTË VRARË.!
Sot kemi pranuar dy raportet të përpiluara në gjuhen frenge dhe të përkthyera në gjuhen shqipe nga Institutit Zviceran-Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Lozanë-Zvicër lidhur me vrasjen e Astrit Deharit, ku njëri raport përbëhet nga 45 faqe ndërsa raporti tjetër përfundimtarë përbëhet nga 14 faqe.
Në bazë të këtyre raporteve të Insitutit Zviceran vërtetohet ajo që është ditur që nga dita e parë e vrasjes së Astrit Deharit më 05.11.2016, që ai është vrarë në rrethana të pasqaruara deri me tani në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.Tani është detyrë e Prokurorisë dhe e shtetit të Kosovës që të gjejë vrasësin e Astrit Deharit. Është ditur se Astrit Dehari është varë vetëm për një arsye se ka qenë aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe është vrarë duke tentuar që ti merren deklarata vetëinkriminuese për diçka që kurrë nuk ka ndodhur, kinse për gjuajtjen e Parlamentit të Republikës së Kosovës, gje që kurrë nuk ka ndodhur nga ai dhe nga aktivistët e tjerë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Astrit Dehari është mbajtur për 78 ditë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, dhe për këto ditë sa është mbajtur në paraburgim ai asnjëherë zyrtarisht nuk është marrë në pyetje nga Prokuroria.
Tani shteti duhet te kërkoj drejtësi për Astritin!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *