Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot priti ambasadoren e Suedisë, Karin Hernmark Ahlini. Gjatë këtij takimi u diskutua për projektet që po realizohen nga shteti suedez në Kosovë. Ambasadorja u interesua më shumë rreth sfidave dhe projekteve të qeverisjes komunale në Prizren. Përndryshe, kjo është vizita e parë zyrtare e një ambasadori apo ambasadoreje nga shteti suedez në Komunën e Prizrenit.
Haskuka në faqen e tij zyrtare në Facebook shkruan: “Ambasadorja u njoftua se gjatë kësaj periudhe një ndër sfidat më të mëdha të Komunës sonë ka qenë qasja e qeverisjes qendrore, bashkëpunimi i së cilës ka lënë për të dëshiruar në aspekt të përmbushjes së obligimeve që i takojnë, gjë që ka shkaktuar ngecje në realizimin e disa projekteve siç është Parku i Biznesit.
Ndër tjerash, biseduam edhe për fokusin tonë në disa prej projekteve kryesore, duke përmendur projektet infrastrukturore që do të lehtësonin komunikacionin në qytet, pastaj hartimin e hartave zonale, përmirësimin e shërbimeve administrative me anë të projektit “One Stop Shop”, zhvillimin ekonomik me anë të turizmit, agrokulturës dhe hapësirave të reja për zhvillim të biznesit si dhe angazhimin tonë për mbrojtje të mjedisit, duke i dhënë rëndësi të veçantë menaxhimit të mbeturinave të reciklueshme.”- përfundon njoftimi.