Në mbledhjen e sotme, të katërtën me radhë, Komisioni për plotësim-ndryshimin e emërtimit të rrugëve, shesheve dhe lagjeve të qytetit ka vijuar me shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave të qytetarëve.
Kryetari i këtij komisioni, Karanfil Haxhillari, tha se për ndryshim të emërtimit të rrugëve janë shqyrtuar gjithsej 39 raste, ndërsa janë proceduar 25 sosh.
“Ankesat dhe kërkesat e qytetarëve janë nga më të ndryshmet. Në disa raste ish- kryetarët e bashkësive lokale kanë punuar kokë më vete dhe nuk janë konsultuar paraprakisht me komunitetin e tyre, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi te ta.
Me fajin e kompanisë, bartëse të këtij projekti, apo të Agjencisë kadastrale, në disa vendbanime rurale, janë ngatërruar pozicionet e emërtimeve të rrugëve. Po ashtu, nuk ka munguar as problemi i vendosjes së tabelave emërtuese të rrugëve në prona private. Janë marrë për bazë edhe ankesat e qytetarëve për ato raste ku ka pasur gabime drejtshkrimore nga komisioni i kaluar. Por ka pasur edhe disa kërkesa, të cilat për Komisionin kanë qenë të papranueshme, p.sh. kur një banor ka kërkuar që një rrugë të ketë emër përmbledhës, apo të një personi që është i gjallë.
Gjithsesi, për rastet e emërtimeve të rrugëve ku ka pasur gabime në pozicione dhe ku janë paraqitur gabime teknike gjatë shkrimit në tabelat orientuese, ne do të takohemi me përgjegjësit e kësaj kompanie dhe do t’i urdhërojmë t’i bëjnë përmirësimet e emrave me gabime drejtshkrimore dhe gabimet në pozicione.”
Në ditët në vijim komisioni do të takohet me
banorët e fshatrave Korishë, Petrovë dhe Nashec, për t’i shqyrtuar emrat nga
lëshimet që janë bërë nga Komisioni i kaluar.
Karanfil Haxhillari njoftoi se pas përfundimit të tërësishëm të këtij
procesi do të bëhet digjitalizimi dhe automatizimi i Regjistrit Civil të Kosovës
dhe se adresimi do të bëhet në mënyrë digjitale, pas çdo përditësimi dhe se për
këtë qytetarët e Komunës së Prizrenit nuk do të kenë nevojë të shqetësohen
fare.