Aktualitet

Kryetari i AAK-së në Prizren shfrytëzon partinë, paraqet kallëzim penal si shenjë hakmarrje për rrënim të objektit

Komuna e Prizrenit, në qershor 2019, ia kishte rrënuar një kat të tërë pa leje ndërtimore të një kompleksi banesor, pronarit Bekim Kabashi, familjar i Lulëzim Kabashit. Vetëm gjashtë muaj pas këtij rrënimi, Lulëzim Kabashi shfrytëzon subjektin e tij politik, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në Prizren, kryetar i cilës është dhe paraqet një kallëzim penal ndaj kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe zyrtarëve të tjerë komunalë, dy prej të cilëve supozojnë se është shenjë hakmarrje për rrënimin e mëhershëm, gjë për të cilën edhe i kishte “paralajmëruar”.

Për shkak të mos respektimit të lejes ndërtimore dhe të tejkalimit në ndërtim,  në qershor të 2019, Komuna e Prizrenit kishte vazhduar rrënimin e mbindërtimit të objektit afarist-banesor në rrugën “William Walker”, pronar i së cilës është familjari i Lulëzim Kabashit, Bekim Kabashi. Edhe pse si pronar figuron emri i Bekim Kabashit, gjatë gjithë kohës së rrënimit, sipas zyrtarëve të Komunës, aty në objekt kishte qëndruar Lulëzim Kabashi duke ushtruar presion dhe ndikim tek këta zyrtarë, të cilët i kishte “paralajmëruar” se do të iniciojë procedurë penale ndaj njërit prej zyrtarëve të pranishëm për disa raste të tjera, për të cilat ai aludonte se ishte dëmtuar Komuna.   
Mirëpo, Komuna  e Prizrenit aksionin e rrënimit e kishte ndërmarrë pasi investitori nuk i ishte përmbajtur lejes ndërtimore. Sipas zyrtarëve komunalë, lidhur me këtë ndërtim, ka edhe një aktgjykim të Gjykatës, me të cilin  është shpallur fajtor një anëtar i familjes së Lulëzim Kabashit.

Gjashtë muaj më vonë, Lulëzim Kabashi, ashtu edhe siç kishte  deklaruar  gjatë rrënimit, shfrytëzon subjektin e tij politik, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Prizren, kryetar i së cilës është ai vetë dhe paraqet kallëzimin e paralajmëruar penal ndaj këtyre zyrtarëve të komunës së Prizrenit, duke e kthyer betejën personale, në atë politike, duke përshirë edhe kryetarin e komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Lidhur me kallëzimin e bërë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Kapixhiku ka kontaktuar dy prej këtyre zyrtarëve, të cilët aludojnë se ky kallëzim penal, i deponuar në Prokurori nga ana e AAK-së, dega në Prizren, është tendencioz dhe pa kurrfarë baze ligjore. Ndër të tjera ata theksojnë:
Këtu kemi të bëjmë me një aktvendim të Gjykatës Themelore për rregullimin dhe përtëritjen e megjeve e assesi me ndërrim të pronës, apo ujdi gjyqësore lidhur me këtë pronë. Në vetë shkresat e lëndës,  që i posedon Komuna,  dëshmohet qartë  se kemi të bëjmë me rregullim të megjeve, ashtu siç edhe kishte vendosur Gjykata Themelore në Prizren, ku kishte marrë aktvendim e me të cilin kishte bërë rregullimin dhe përtëritjen e megjeve në mes të këtyre  dy parcelave.

Arsyeja se pse përfaqësuesi ligjor i Komunës nuk kishte ushtruar ankesë ishte se prona komunale ishte e rrethuar nga të tri anët me ndërtim nga ana e propozuesit (e pamundshme për t’u shfrytëzuar nga ana e Komunës) dhe ishte bazuar në konstatimin e ekspertit gjeodezik, se nuk bëhej  fjalë për ndërrim të parcelave, por vetëm me rregullimin e vijave në mes të tyre dhe prona komunale mbetet e njëjtë, me sipërfaqe dhe me numër të njëjtë kadastral“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *