Rajoni dhe Bota
Aksidente dhe shkëputje të rrjetit të energjisë elektrike nga erërat e forta në Shqipëri
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile thotë se vendi është në një situatë të pazakontë për shkak të erës së fortë gjatë orëve të fundit në disa pjesë të Shqipërisë.
Nisur nga kjo, kjo Ministri u bën thirrje qytetarëve që të shmangin qëndrimet në afërsi të pallateve, godinave të larta, pemëve dhe objekteve të rrezikshme. Rënia e sendeve dhe objekteve të ndryshme për shkak të erës përherë e më të fortë, mund të bëhen shkak për aksidente.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, nëpërmjet një njoftimi bën të ditur se duke nisur nga orët e mesditës së sotme era ka qenë intensive dhe se do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit të së hënës.Po ashtu bëhet e ditur se për shkak të motit të keq është dëmtuar edhe një pjesë e rrjetit të energjisë elektrike.