Aktualitet

Prizreni përkujtoi trevjetorin e vrasjes së Astrit Deharit

 Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qytetarë të Prizrenit, të shoqëruar edhe nga prindërit e Astritit, Avni e Xhemile Dehari, motra Albana, bashkëshortja e Astritit, Arta dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka,  nga ora 14:00 deri në orën 15:00, përkujtuan trevjetorin e vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje! Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

Me këtë rast, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, pranë muralit për Astrit Deharin,  të realizuar dy ditë më parë, tek Drejtoria për Financa, tha se edhe pse kanë kaluar tre vite nga vrasja e Astritit, nuk do të reshtin së kërkuari drejtësi për Astritin.

“Jemi këtu pas tri vitesh të vrasjes së Astrit në burgun e Prizrenit  duke kërkuar drejtësi për Astritin, tre vite përpjekje për të kuptuar se çka i ndodhi Astritit. Po e kujtojmë Astritin, sepse Astriti është një shembull se si duhet të veprohet e të punohet për atdheun. Më tej Haskuka tha se do të kërkojnë drejtësi deri sa ata që e vranë Astritin  dhe ata që e fshehën vrasjen e tij nuk do të dalin para përgjegjësisë.

Në emër të familjes Dehari, babai i Astritit, Avni Dehari, i falënderoi qytetarët për mbështetjen që ua dhanë dhe po ua japin në vazhdimësi. Ndërsa për ata që e kryen dhe ata që u munduan ta fshehin vrasjen e Astrit, Avni Dehari tha:

“Kemi shpresë dhe besim të madh se me mbështetjen tuaj do t’ia dalim që t’i zbardhim edhe rrethanat e vdekjes së Astrit dhe t’i nxjerrim para përgjegjësisë të gjithë ata që drejtpërdrejt kanë pasur dorë në mbytjen e Astrit dhe ata që kanë bërë përpjekje të mëdha për ta fshehur mbytjen duke e mbuluar me deklarata për vetëvrasje.”

Më pas, pikërishit në orën 15:00, të pranishmit, në kujtim të veprës së Astritit, ndezën qirinj dhe vendosën lule te murali pranë përkujtimor.

Gjatë ditës së sotme, me rastin e përvjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ofruan kontrolle pa pagesë  për sëmundje kardiovaskulare dhe të diabetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *