Aktualitet

INSTITUCIONET E SHQIPËRISË DUHET TA NJOHIN ZYRTARISHT GJENOCIDIN E SERBISË

Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE ! në Shqipëri organizuan sot një konferencë për shtyp dhe një aksion simbolik përpara Kryeministrisë në Tiranë, në përkujtim të masakrës së Reçakut, duke kërkuar që institucionet e Republikës së Shqipërisë ta njohin e dënojnë zyrtarisht gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve.

Prej një viti, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar rezolutën që e shpall 15 janarin si ditën përkujtimore të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, por aktivistja Gearda Demiraj shpjegoi se: “Institucionet e Republikës së Shqipërisë nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për ta njohur e dënuar zyrtarisht këtë gjenocid. Asnjë institucion, asnjë vendim, asnjë rezolutë. Asnjë përpjekje për ta ndihmuar Kosovën të ngrejë padi në nivel ndërkombëtar ndaj Serbisë. Zyrtarët e Serbisë, si Vuçiç e Daçiç, vazhdojnë ta mohojnë publikisht masakrën e Reçakut dhe gjenocidin e Serbisë. Sakaq, Aleksandar Vuiçiç ka qenë Ministër i Informacionit kur Serbia kryente këto masakra në Kosovë.” Më tej ajo tha: “Në vend që të flasë për marrëveshje si mini-shengeni me një kriminel lufte si Vuçiç, qeveria Rama dhe institucionet e Republikës së Shqipërisë do duhej ta shpallnin sa më parë 15 janarin si dita e gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve, dhe do duhej të jepnin të gjithë ndihmën e nevojshme për ta ndërkombëtarizuar dhe dënuar gjenocidin e Serbisë… vuajtjet e këtij kombi nuk zgjidhen me mesazhe në rrjete sociale, apo duke i hapur dyert atyre që na kanë masakruar, por me vendime shtetërore që kërkojnë drejtësi sipas parimeve universale dhe ligjit ndërkombëtar.”

Demiraj kujtoi edhe një herë ngjarjet e 15 janarit 1999, kur forcat policore dhe ushtarake serbe hynë në shtëpitë e shqiptarëve në Reçak duke torturuar për vdekje popullaten civile të pambrojtur. Aty forcat serbe vranë dhe kryen makabritete si prerje kokash e nxjerrje organesh nga trupat, duke masakruar 45 njerëz pa dallim moshe e gjinie, nga mosha 12 vjeçare deri në moshën 85 vjeçare. Sot e kësaj dite, për masakrën e Reçakut, nuk është dënuar asnjë polic apo ushtarak serb.

Aktivisti Elvis Hoxha foli në këtë konferencë duke thënë se: “Masakra e Reçakut nuk është as më e madhja, as më e vogla. Nuk është as më e tmerrshmja as më e lehta. Ajo është një prej 100 sipërmarrjeve mizore të kolektivave shtetërorë ushtarakë dhe paraushtarakë serbë, mbi kolektivë civilësh shqiptarë”. Masakra e Reçakut i ka vetëdijesuar ndërkombëtarët për luftën e padrejtë që i është bërë Kosovës. Përmes Misionit të OSBE-së, i drejtuar nga Ambasadori William Walker, u gjetën faktet per krimet e Serbisë në kufomat e shqiptarëve të masakruar në Reçak, duke çuar në ndërhyrhyrjen ushtarake të NATO-s. Në rrafshin praktik, Reçaku ishte deklarimi publik i gjenocidit.

Në vijim, Elvis Hoxha deklaroi se: “Kryeministri i Shqipërisë, e ftoi ministrin e propagandës së Millosheviçit, Aleksandar Vuçiçin, nëpër festa, në vende publike, duke i vendosur të gjithë trupën e Teatrit Kombëtar të këndojë përpara tij, duke e çuar në vendet më shik të Tiranës, dhe këtë e bënë si për të harruar dhe për të fshirë krimin mbi shqiptarët. Shteti shqiptar ekziston pra, sipas mendjes së kryeministrit Rama, për të harruar dhe fshirë krimin mbi shqiptarët. Dhe sigurisht kjo nuk është patetike, por kriminale. Fyerja e Qeverisë së Tiranës mbi viktimat e gjenocidit është një krim. Ajo kapi tre momente djallëzore: (1) Organizimin e një koncerti madhështor ku mori pjesë krimineli i luftës Vuçiç; (2) Vizitën e Vuçiçit në Durrës, në vendin simbolik të synimeve pushtuese serbe; dhe (3) Në kuptimin estetik, krimi më i rëndë që është kryer mbi popullin shqiptar nga kryeministri i vet, morën Vuçiçin dhe e vendosën pranë një djali të vogël për t’u fotografuar. Kujtojmë që ushtria dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar 1392 fëmijë shqiptarë gjatë dy viteve të luftës në Kosovë. Pra i thanë Vuçiçit, me një dorë te koka e një djali të Shqipërisë, ti mund të harrosh 1392 krimet që ke bërë vetëm mbi fëmijët. Dhe gjithashtu iu tha se me 100 shtëpitë që do ndërtosh ti dhe shteti serb do harrosh 100.000 shtëpi të rrafshuara.”

Fjalën e tij Hoxha e mbylli duke deklaruar se: “Ndoshta për kryeministrin Rama, shqiptarët janë të tepërt, por për ne, viktimat janë një problem i gjallë. Indiferenca e përgjithshme shoqërore nuk është e natyrshme. Ajo është e shkaktuar prej padijes së institucioneve të shtetit dhe të atyre akademike, si dhe prej shkeljes së Kushtetutës prej institucioneve. Në nenin 8, pika 1, Kushtetuta thotë se Republika e Shqipërisë është në mbrojtje të popullit shqiptar jashtë kufijve. Kuptohet se për cilin popull bëhet fjalë. Është urgjente të mendojmë në bazë të Kushtetutës.”

Në fund të konferencës, në përkujtim të 45 shqiptarëve të masakruar në Reçak, aktivistët vendosën në hapësirën e gjelbër para kryeministrisë në Tiranë 45 trëndafila të kuq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *