Më 14 nëntor të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë “pandemi” të re globale. 14 Nëntori, Dita Botërore e Diabetit, është vendosur për nder të ditëlindjes së Frederik Bantingut, i cili së bashku me Çarls Bestin, dy shkencëtarë kanadezë, arritën të izolojnë nga pankreasi i qenit Insulinën, e cila ndryshoi dhe shpëtoi jetën e diabetikëve në mbarë botën. Për ta shënuar këtë datë, Drejtoria e Shëndetësisë së bashku me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Institutin Rajonal të Shëndetit Publik organizuan aktivitetin senzibilues në sheshin Shatërvan.
Qytetarët e rastit patën mundësinë që të bëjnë kontrollet mjekësore për diabet. U shpërndanë fletushka informuese rreth kësaj sëmundjeje kronike si dhe u dhanë edhe këshilla mjekësore.
Sëmundja e diabetit, e njohur edhe si
sëmundja e sheqerit, është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me
rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të
metabolizmit të karbohidrateve, përkatësisht sheqernave, yndyrave dhe
proteinave.
Siç njofton drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë
në Prizren, Visar Shehu, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira
mjekësore për qytetarët e komunës së Prizrenit, vetëm për të sëmurit me diabet,
gjatë këtij viti ka vënë në funksion Njësinë Diabetike në QMF 1, në shtator, në QMF
në Reçan, ka filluar me shërbime laboratorike dhe diabetike si dhe me analiza
HBA1C (matjen e sheqerit për periudhën tremujore) me metodë të re dhe me çmime
më të volitshme, ndërsa këtë muaj edhe me kontrolle për diabetikët.
Federata Ndërkombëtare e Diabetit ka publikuar statistikat në të cilat bëhet e ditur se rreth 387 milionë njerëz janë të prekur me diabet, po sipas tyre numri i të prekurve me këtë sëmundje, deri në vitin 2035, mund të arrijë deri në 600 milionë njerëz.