Drejtoria e Shëndetësisë në Prizren, pas ofrimit të kontrolleve pa pagesë për sëmundjet kardiovaskulare dhe të diabetit, me rastin e 3 vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, ka bërë analizën e këtij aktiviteti dhe e ka vlerësuar si të suksesshëm. Kjo Drejtori, me qëllim të kujdesit shëndetësor të qytetarëve dhe parandalimit të sëmundjeve të ndryshme, do të shqyrtojë mundësinë që edhe në të ardhmen të ofrojë shërbime falas në ditë të caktuara.
Kështu bëhet
e ditur nga faqja zyrtare e Komunës së Prizrenit.
“Pas ofrimit të kontrollit të përgjithshëm mjekësor (check-up) pa pagesë për
sëmundjet kardiovaskulare dhe të diabetit me rastin e 3 vjetorit të vdekjes së
Astrit Deharit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare
kanë bërë analizën e këtij aktiviteti duke përpiluar edhe raportin përmbledhës.
Sipas këtij raporti, gjatë ditës së martë (5 nëntor) kur janë ofruar këto shërbime, kontrollit mjekësor u janë nënshtruar 22 pacientë, të cilët kanë pasur vizita specialistike-internistike, analiza të EKG-së dhe ato laboratorike, duke përfshirë analizat për hemogram, ure, kreatinin, glikemi, kolesterol, trigliceride, HDL, LDL dhe HBA1C.
Pas këtyre analizave, të gjithë pacientët janë pajisur me dokumentacionin shëndetësor për gjendjen e tyre shëndetësore, ku në disa prej tyre janë diagnoztifikuar edhe disa sëmundje, për të cilat pacientët kanë marrë këshilla mjekësore për përmirësimin e gjendjes shëndetësore.
Drejtoria e Shëndetësisë duke e vlerësuar këtë aktivitet si të suksesshëm dhe duke u bazuar në interesimin e madh të qytetarëve, do të shqyrtojë mundësinë që edhe në të ardhmen të ofrojë shërbime falas në ditë të caktuara, me qëllim të kujdesit shëndetësor të qytetarëve dhe parandalimit të sëmundjeve të ndryshme.”