Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, lidhur me Raportin e Monitorimit të tenderit “Pishina Olimpike” të organizatave AVOKO, EC Ma Ndryshe, ISDY, KDI dhe PRAK, ka falënderuar dhe ka sqaruar se ai pajtohet plotësisht me konstatimet e këtyre OJQ-ve dhe se i mbështet të gjitha rekomandimet për projektin në fjalë.
Shkrimi i plotë i kryetarit Haskuka në faqen e tij në Facebook:
“Lidhur me Raportin e Monitorimit të tenderit “Pishina Olimpike” të organizatave AVOKO, EC Ma Ndryshe, ISDY, KDI dhe PRAK, dua të theksoj se pajtohem plotësisht me konstatimet dhe i mbështes të gjitha rekomandimet për projektin në fjalë.
Falënderoj që më kanë vërtetuar dyshimet e mia për këtë projekt.
Fakti që duhet të dihet në këtë rast është se procedurat e prokurimit të projektit kanë përfunduar në vitin 2017 nga qeverisja e kaluar dhe kontrata ka qenë tanimë e gatshme për t’u nënshkruar në momentin kur e kem marrë qeverisjen komunale.
Me këtë rast, nënshkrimi i kontratës është vonuar për shkak të problemeve dhe mospajtimeve me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në çështjet që tanimë të ngritura në Raport. Por meqenëse afatet ligjore për ndryshime në projekt kishin përfunduar dhe kontrata ishte gati, jemi pajtuar që ta nënshkruajmë kontratën me qëllim mos të humbet ky investim për qytetin e Prizrenit dhe Komuna të mos nënshtrohet penaltive juridike për mosnënshkrim të kontratës.
Dua të kujtoj që pikërisht ata që me tituj dezinformuas na akuzojnë për të bëmat e qeverisjes së kaluar, si në këtë rast, asokohe na akuzonin për bllokim të këtij projekti.
Kosova dhe Komuna ka shumë probleme të trashëguara dhe ne tanimë kemi filluar adresimin e tyre në nivel komunal. Por problemet strukturore dhe legjislative nuk mund të adresohen nga komuna pa mbështetjen e institucioneve qendrore. Tanimë me ndryshimet në qeveri adresimi I problemeve do të lehtësohet dhe opinionet e organizatave të shoqërisë civile do të na ndihmojnë në këtë drejtim.”