Turneu memorial i shahut “Astrit Dehari” do të mbahet të shtunën, me 2 nëntor , në SHFMU “Abdyl Frashëri”- Prizren, duke filluar nga ora 11:00.
Për të dytën herë me radhë, Komuna e Prizrenit, në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Kosovës, organizojnë turneun e dytë memorial të shahut “Astrit Dehari”. Këtë vit interesimi për të marrë pjesë në këtë garë është jashtëzakonisht i madh. Këshilli organizativ i këtij turneu ka bërë të ditur gjithashtu se për të marrë pjesë në këtë aktivitet sportiv kanë shprehur dëshirë edhe shahistë ndërkombëtarë dhe se afati i fundit për regjistrim është data 01.11.2019.
Për hollësi të tjera të interesuarit mund të kontaktojnë me Këshillin Organizativ në faqen zyrtare në Facebook, Federata e Shahut e Kosovës ose edhe në e-mail: fshekosoves@g.mail.com.
Për dallim nga viti i kaluar, sivjet turneun e mbështesin materialisht edhe disa kompani vendore dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje nga diaspora. Vitin e kaluar morën pjesë 120 shahistë, ndërsa fitues i turneut të parë ishte veterani i mirënjohur i shahut, Bedri Sadiku.