Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Prizren me qëllim ofrimin e sigurisë më të mirë në trafikun rrugor në Rajonin e Prizrenit, komform planit vjetor ka filluar implementimin e planit operativ “Respektimi i shenjave sinjalizuese ndriçuese” me theks të veçantë në udhëkryqe, siç janë semaforët dhe respektimi i shenjave tjera në trafikun rrugor. Në një komunikatë të lëshuar për media nga Drejtoria e Policisë Rajonale në Prizren, thuhet:
“Policia gjatë zbatimit të planit operativ, i cili do të zgjasë disa ditë, ka hasur në një numër të kundërvajtësve të cilët nuk respektojnë shenjat e trafikut, veçanërisht semaforët në qytetin e Prizrenit. Vetëm gjatë 24 orëve janë shqiptuar 25 masa mbrojtëse me konfiskim patentë shoferët për 25 vozitës.
Policia e Kosovës informon qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë kundërvajtës i cili nuk respekton shenjat e trafikut rrugor, kur ata hasen duke kryer kundërvajtje të tilla dhe do të merren masa ndëshkuese sipas ligjeve të trafikut.
Plani operativ do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për të parandaluar kundërvajtësit të cilët shkaktojnë kundërvajtje të tilla e njëkohësisht duke parandaluar edhe aksidentet në trafikun rrugor, detyrë dhe objektiv primar i Policisë së Kosovës për sigurinë në trafik.”